Vitin e kaluar unë duhet të udhëtoja për në New York City për të parë një muzikal në Broadway me Ryan njeriun me të cilin isha e lidhur prej 6 muajsh edhe pse marrëdhënia jonë muajin e fundit ishte bërë më e ftohtë. Ne u takuam në prill 2021 dhe gjithmonë mendoja për udhëtime romantike, por asnjëherë nuk u bënë realitet.
Ryan dhe unë vendosëm të ndaheshim në nëntor 2021 sepse kuptova që ai nuk gjente dot kohë për mua. Ai shpesh anulonte ose ndryshonte oraret e takimeve tona sepse i duhej të udhëtonte për disa takime pune të papritura, apo me miqtë e tij, ose për shkak të prindërimit, sepse ai kishte edhe fëmijë. Por në fakt unë doja dikë që të dilte dhe të kishte pak kohë për mua.
Gjithsesi unë e lash të shkojë, por në fakt jo vërtetë.
Gjatë kohës që u ndamë unë vendosa të njihesha edhe me burra të tjerë me dëshirën për të takuar dikë që do më plotësonte dëshirat e mia, por kurrë nuk ndjeva një lidhje të vërtetë me askënd. Thellë në mendimet e mia ekzistonte ende Ryan dhe me sinqeritet doja të gjeja një rrugë patjetër për t’u kthyer te ai.
Nuk di ta përshkruaj lidhjen me të por është tipike lidhje e njerëzve që kur i pyet për dikë të përgjigjen: “Nuk e di, thjesht e ndjejë”.
Dhe unë e ndjeva.
Pas një takimi tjetër katastrofik me dikë, vendosa dhe i dërgova mesazh Ryan-it.
“Jam ulur në parkingun e një restoranti ku do takohesha me dikë, por ai sapo ma anuloi… dhe unë nuk dua të jem këtu për të takuar atë. Nuk dua të takoj asnjë mashkull tjetër. I vetmi mashkull që dua të takoj je ti, madje është budallallëk që ne nuk po takohemi më”- i shkruajta.
Ai më ktheu një mesazh dhe sugjeroi që të takoheshim për kafe. Më tha se gjatë kësaj kohe ishte takuar edhe ai me gra të tjera natyrisht por asnjë nuk i kishte mbetur në mendje si unë. Njëjtë si unë edhe ai thjesht kishte kaluar kohë me to në tentative për t’u njohur.
Filluam të dërgonim mesazhe çdo ditë.
Unë kisha punuar shumë me psikologun tim dhe e kisha bindur veten se isha e denjë për të bërë gjëra të mira, apo për t’u pëlqyer nga dikush. Gjithashtu kam fituar besimin se mund të kem të gjitha gjërat që dua. Kjo siguri më inkurajoi që teksa bisedonim t’i kërkoja Ryan-it nëse mund të vinte me mua në Palm Springs. U trondita kur më tha menjëherë ‘po’, por më tha se i duheshin disa ditë të rregullonte punët e tij.
Pas tre ditësh nga ‘po’-ja më tha se nuk mund të vinte me mua në Palm Springs. Fluturimet ishin shumë të shtrenjta dhe më tha se do të shkonte në një udhëtim me shefin dhe disa kolegë pune, një grup burrash rreth të 60-ve. Por ai më tha se “The Music Man” po performonte në New York dhe më pyeti nëse do të shkoja me të. Isha aq e lumtur sa gati fillova të qaja. Në martesën time të mëparshme, i kisha kërkuar shpesh ish-it tim të bënte një udhëtim në minutën e fundit me mua, por përgjigja e tij ishte se ndihej shumë i lodhur ose thoshte se do të përpiqej.
Ryan rezervoi biletat e teatrit dhe unë rezervova në ‘Venmo’ fluturimin dhe hotelin. Vendosa t’i mbuloja unë ato sepse ai nuk kishte shumë para të kursyera dhe përveç kësaj ndihesha mirë që do të ishim të lumtur.
Folëm gjatë mbi këtë udhëtim dhe po ndjeja sikur po dashurohesha përsëri, akoma më shumë Ryan.
Por pastaj…mora një mesazh në facebook. Një grua më kishte shkruar se donte të dinte kush isha unë. Ajo pretendoi se i dashuri i saj, Ryan, sapo ishte ndarë me të dhe tha se pa në ‘Venmo’ që i kisha dhënë para për bileta. “Për çfarë ishin biletat?” pyeti. Ajo tha se ata ishin bashkë për dy vjet dhe donte që unë t’i tregoja se për çfarë po ndodhte ky udhëtim.
Kur klikova në llogarinë e saj në facebook, u shtanga, u trondita dhe mbeta pa fjalë.
Ndërsa lëvizja në fotot e saj, zbulova qartë jetën e dyfishtë të Ryan-it. Kur ai më thoshte se do largohej jashtë qytetit me shefin e tij, në fakt ishte me të dashurën në Nashville. Por kjo nuk ishte hera e vetme. Zbulova se çdo gjë që ai më kishte thënë gjatë 6 muajve të lidhjes tonë kishte qenë një gënjeshtër. Të gjitha herët që ai kishte udhëtime pune, apo fundjavë peshkimi me miqtë e tij ose takime me fëmijët, në fakt paska qenë me të dashurën në Chicago për festivalin e jazz-it, apo për të festuar vitin e ri etj etj.
Një herë ai më dërgoi fotografi nga një lojë basketbolli dhe m’u ankua se ishte e vështirë të ishe vetëm ndërkohë që miqtë e tij ishin me gratë e tyre. Por në atë foto tashmë zbulova se ishte dhe e dashura e tij.
Jo vetëm që Ryan kishte krijuar gënjeshtra të ndërlikuara se pse nuk mund të ishte me mua, më dërgonte mesazhe gjatë atyre udhëtimeve duke më thënë se mezi priste të më shihte. Më thoshte se sa bukur ishte të ishe i lidhur dhe mezi priste momentet intime me mua. Por më e keqja nga të gjitha ishte se ai i përdorte shpesh fëmijët e tij si një justifikim përse nuk mund të kalonim kohë së bashku.
Pas kësaj e thirra dhe doja të dija se çfarë po ndodhte. Ai më tha se gjatë kohës që takohej me mua, ishte i lidhur edhe me 6 gra të tjera. Madje që kur u rilidhëm, ai kishte dalë edhe me dy gra të tjera përveç meje dhe të dashurës së tij prej dy vitesh. Nuk mund ta besoja. Gjithashtu refuzoi të më kthente paratë për biletën në Nju Jork, kështu që unë humba edhe ato 600 dollarë. Por më shumë se kaq, humba marrëdhënien që mendoja se kisha.
Ajo që bëri Ryan ishte më shumë se lënduese. Është më shumë sesa thjesht të mos thuash të vërtetën. Ai dërrmoi shpirtin tim, besimin tim në përgjithësi, por mbi të gjitha besimin tim në dashuri. Por unë kurrë nuk do ta lejoj atë të më shkatërrojë ndjenjën e vetëvlerësimit.
Unë jam 48 vjeçe dhe jam kthyer në botën e takimeve pas dy martesash dhe plot 15 vitesh si partnere e dikujt. Nuk doja të bëja takime në internet, por a kisha opsione të tjera? Nuk është turp të duash shoqëri, por ndonjëherë ndihet e turpshme. Doja të më donin aq shumë saqë e lashë veten të lëndohesha, por në fakt vetë e ‘’thirra’ këtë në jetën time. Megjithatë vendosa mos të përdor internetin për njohje.
Unë besoj se takimet në internet kanë krijuar një mënyrë të re për të lulëzuar mashtrimin dhe manipulimin. Ai u ofron njerëzve një mundësi të lehtë për t’u gjetur dhe për të rënë pre ata që janë zemërhapur dhe besues. Këta shfrytëzues janë gjithmonë në vëzhgim për objektivin e radhës dhe emocionin tjetër, dhe tjetri është vetëm një rrëshqitje larg. Aftësia për të krijuar në çast një personazh të ri dhe sado gënjeshtra të jenë të lidhura me të, i lejon njerëzit të jenë kushdo që duan të jenë dhe të bëjnë çfarë duan të bëjnë. Asnjëherë nuk e dini nëse personi me të cilin po takoni ose po dashuroheni është ai që thonë se janë, dhe kjo është e tmerrshme.
Bëra gabim duke justifikuar ‘flamujt e kuq’ që pashë herët duke thënë: “Ryan nuk mund të kalojë kohë me mua sepse është shumë i zënë me punën dhe fëmijët e tij”. U përpoqa shumë të jem e kuptueshme dhe e sjellshme, por kjo më kushtoi shumë.
Nuk do lejoj kurrë që kjo ndjesi dhe kjo eksperiencë të mposht të gjithë punën që kam bërë për formimin e identitetit tim dhe fitimin e vetëbesimit. Unë jam duke ecur para, më pak e hapur, ndoshta me më pak falje dhe më shumë respekt për veten. Nuk do doja realisht të isha kështu, por kam kuptuar se bota është shumë ndryshe nga ajo e 15 viteve më parë kur unë mendova se ishte dashuria ime e parë dhe e fundit njëkohësisht.
Gjithashtu edhe Ryan do të ecë përpara ai do vazhdojë të takohet me gra të tjera. Por jam e bindur se ai do të vazhdojë të lëndojë njerëzit, derisa shumë gra do të ngrenë zërin dhe do të dënojnë sjelljen e tij. Unë jam e para që po e bëj këtë por shpresoj të mos jem e fundit për të gjithë ‘Ryan- ët’ nëpër botë.