Themeluesja e ‘CoppaFeel’, Kris Hallenga, ka ndërruar jetë në moshën 38-vjeçare, pas një beteje 15 vjeçare me kancerin e gjirit. Aktivistja sypatrembur arriti t’i mësonte miliona qytetarëve se si të kontrollonin gjirin në mënyrë efektive, e mandej t’i drejtoheshin klinikave për vizita.
Kris u diagnostikua me kancer sekondar terminal të gjirit në moshën 23-vjeçare në vitin 2009. Ajo e ktheu dhimbjen në forcë dhe nisi një fushatë të guximshme për t’u siguruar që njerëzit të njihnin shenjat dhe simptomat e kancerit të gjirit, në mënyrë që ata të ishin në gjendje ta diagnostifikonin dhe trajtonin atë në kohë.
Kanceri i gjirit është më i shpeshtë tek gratë dhe kanceri i dytë më i shpeshtë në popullatën e përgjithshme në botë.
Si u krijua CoppaFeel?
CoppaFeel u krijua nga ambicia e Kris, që askush tjetër të mos e gjente veten në vendin e saj!
“Për 15 vjet Kris bashkëjetoi me kancerin e gjirit. Ajo nuk ka humbur një betejë, sepse ajo nuk ishte në një luftë dhe sigurisht që nuk do të dëshironte që ju ta shihnit vdekjen e saj si tragjike”, shkruhet në njoftimin zyrtar të paraqitur nga kolegët e saj.
Njoftimi i trishtë mbyllet me moton e Kris Hallenga: “Besojini trupit tuaj! Besoni në shpresë! Lini vend për mrekulli!”