Qershori do të jetë muaji i fundit me pagën aktuale për punonjësit e administratës publike. Duke filluar nga 1 korriku, të gjithë punonjësit e administratës do të përfitojnë shtesën e pagës të premtuar nga qeveria, duke e çuar kështu nivelin e rrogës mesatare në vend në 900 euro.
Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një dalje për media ditën e djeshme I cili u shpreh: “Në qershor hyn në fuqi rritja e pagave, do të arrijmë objektivin që paga mesatare të jetë 900 euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që kemi dhe me kryerjen e të gjitha procedurave me departamentin, paga e radhës do të jetë paga e rritur. Dhe është në fakt një rritje shumë e konsiderueshme rreth 400 milionë në total që janë vendosur për burimet njerëzore nga vjet në sivjet. Edhe më shumë do të jenë sepse nuk është një rritje që ne e shikojmë si fundin e një procesi. Është një rritje domethënëse për në periudhë të caktuar”.
Ndër të tjera Rama bëri të ditur se ndryshim parashikohet edhe për buxhetin e pensionistëve, pasi ende ka të moshuar që marrin pension nën vlerën 150 euro.
“Duhet të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm që marrin një pension nën 150 euro. Të gjithë na thonë edhe ekspertët ndërkombëtare që te pensionet bëni kujdes sepse është një peshë shumë e rëndë. Jemi duke menduar shumë seriozisht dhe besoj se do të hedhim një hap edhe në këtë drejtim”, shtoi Rama.
Kryeministri u ndal te korrupsioni i administratës, duke shtyrë drejtësinë që ta luftojë më tej atë.
Në objektivat e qeverisë është të motivojë administratën, duke u treguar fleksibël në oraret e punës dhe duke e ndërthurur punën e saj me inteligjencën artificiale.